Javën e kaluar Fondacioni Ivanaj në Tiranë priti sërish më shumë se 75 pjesëmarrës në aktivitetin vjetor të organizuar nga Shoqata e Kombeve të Bashkuara Shqipëri, i cili u përmbyll me sukses, siç ishte planifikuar.
Tema e këtij viti ishte emigracioni, një çështje sfiduese për çdo komb. Të pranishmit, që si zakonisht përfshijnë studentë nga e gjithë Europa, u mblodhën për të simuluar një seancë kongresi të OKB-së, ku përfaqësuesit e secilit komb trajtuan pikëpamjet e tyre në lidhje me menaxhimin e emigracionit, veçanërisht gjatë periudhave të vështira siç janë konfliktet e armatosura në rajon.
Si pjesë e eventeve dhe aktiviteteve të programit “Tirana Youth Capital”, gjatë ceremonisë së hapjes së edicionit të këtij viti pati një panel të ftuarish specialë, si një nga Nënkryetarët e Bashkisë Tiranë dhe përfaqësues nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit në Shqipëri, të cilët i ofruan mirë se ardhjen zyrtare studentëve të pranishëm, folën në mënyrë të përmbledhur rreth sfidave të sotme të migracionit, si dhe i përgëzuan ata për këtë iniciativë.
Ne i urojmë një të ardhme të ndritur të gjithë pjesëmarrësve, përgëzojmë Shoqatën e Kombeve të Bashkuara Shqipëri për zbatimin e suksesshëm të edicionit të këtij viti dhe falënderojmë anëtarët e rinj të qendrës sonë të vullnetarëve që ndihmuan në lehtësimin e menaxhimit të eventit brenda ambienteve tona.