Më 16 Prill organizuam një tjetër aktivitet të përbashkët me Sfida Biznesi me temën se si zhvillohet një biznes duke përdorur programe dhe metoda me bazë kodi të hapur, ose open source.
I ftuar ishte Z. Redon Skikuli, përvoja dhe kontributi i të cilit për përhapjen e programeve open source është e mirënjohur në Shqipëri dhe jashtë saj.
Z. Skikuli prezantoi një përmbledhje të shkurtër historike sesi u zhvillua mentaliteti mbi parimet e bazave të hapura të kodit dhe të hapësirave “hackerspace” përmes një komuniteti njerëzish, kontributi i të cilëve tani prek të gjithë jetën tonë.
Ai theksoi se si programimi me anë të platformave open source qëndron në thelb të shumë prej pajisjeve dhe shërbimeve programuese nga të cilat ne varemi çdo ditë.
Nëpërmjet shembujve konkretë ai ndau disa metoda dhe mënyra përmes të cilave të rinjtë, profesionistët e pavarur, sipërmarrësit dhe bizneset mund të krijonin ose të përdornin softuerë dhe zgjidhje ekzistuese open source për t'i shërbyer më mirë nevojave dhe komuniteteve të tyre.
Ky bashkëpunim me Sfida Biznesi do të vazhdojë të sjellë më shumë seanca informuese me të ftuar dhe tema me interes për të rinjtë, profesionistët e pavarur, sipërmarrësit dhe profesionistët e tjerë.